Reshjet e rëna gjatë natës të së premtes në të gdhirë kanë qenë të veçanta. Për rreth 20 minuta ka pasur një stuhi rënieje breshëri që ka arritur deri në një shtresë me lartësi 15-20 cm, shtresë, e cila pas rikthimit në shi ka filluar të shkrijë gradualisht. Por për këtë janë dashur rreth 4 orë, pasi breshëri, duke qenë mjaft i konsoliduar nga shtresat e ftohta ajrore që janë kryqëzuar në lartësitë e hapësirës së Durrësit me shtresat e ngrohta të reve të shiut, e kanë pasur të vështirë shkrirjen nën shiun e lehtë që e ka shoqëruar gjatë orëve të natës.

Intensiteti i rënies së breshërit ka qenë rreth 20 minuta. Kjo stuhi ka zgjatur nga ora 05.00 deri në orën 05:20. Më pas ka filluar një shi i lehtë që krijuar premisa për shkrirje të kësaj shtrese të trashë breshëri, shtresë e cila na kujton duke ndjekur shtresat e një dëbore të rënë në vitin 1987 dhe në vitin 2010 në qytetin tonë bregdetar. 

Por rënia e këtij breshëri, përveç një pamjeje spektakolare që ofron, ka dhe një impakt të rëndë për frutikulturën. Ai ka rënë dhe ka dëmtuar shumë pemë në lulëzim për shkak të një klime ngrohjeje të parakohshme, të cilat shoqërohen me një faturë të rëndë dëmesh në bujqësi e kryesisht në frutikulturë, faturë që mund të konkretizohet nga ekspertë të agronomisë dhe drejtorive përkatëse të bujqësisë.