Komisioni Europian miratoi marrëveshjen me qeverinë greke për gazsjellësin Trans-Adriatic Pipeline, duke e quajtur atë në linjë me rregullat e BE për ndihmën shtetërore. Komisionerja e Bashkimit Europian për Konkurrencën, Margret Vestager, tha se vendimi i hap rrugën ndërtimit të projektit. "Gazsjellësi TAP do të sjellë gaz të ri në BE dhe do të rrisë sigurinë e furnizimit me energji për Europën jug-lindore," – deklaroi Vestager.
Gazsjellësi TAP është zgjatimi europian i korridorit jugor të gazit, i cili synon të lidhë tregun e BE me burime të reja energjetike. Fillimisht ai parashikohet të furnizojë 10 miliardë metër kub gaz në vit duke filluar nga 2020, por në fazën e mëvonshme ky kapacitet do të dyfishohet. Gjurma e gazsjellësit nis në Greqi dhe pasi përshkon mes përmes Shqipërinë përfundon në Itali. Gazsjellësi do të kushtojë 5.6 miliardë euro, nga të cilat 1 miliard do të investohen në territorin shqiptar. Ndërtimi i gazsjellësit ka filluar që vitin e kaluar, por këtë vit pritet që të kryhen punimet më të mëdha.