Deri më 31 mars 2016 kanë afat të aplikojnë e të pajisen me certifikatën e aftësisë profesionale të gjithë drejtuesit e autobusëve e kamionëve të kategorisë C, D, CE, DE. Pas kësaj date, policia e qarkullimit vendos masë administrative ndaj shoferëve, në mungesë të saj. Afati është shtyrë me një muaj pas kërkesave të larta në zyrat e transportit rrugor në Durrës.    

Hyrja në fuqi e kodit të ri rrugor, që detyronte drejtuesit e mjeteve të transportit të udhëtarëve e të mallrave, të pajiseshin me certifikatën e aftësisë profesionale para qarkullimit në rrugë, ka sjellë edhe dyndje të shoferëve në drejtorinë e Durrësit. Kodi i ri hyri në fuqi më 21 janar të 2016-s, dhe kjo solli së paku 150 aplikime në ditë nga ana e shoferëve të autobusëve dhe të kamionëve në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor në Durrës, që mbulon qytetin e Durrësit, Shijakun, Kavajën, Krujën e Fushë-Krujën.

Edmond Pula, kryetar i degës së leje drejtimeve, në një intervistë për “DurrësLajm” pohoi se nga dy janë vënë në dispozicion të shoferëve katër sportele për aplikimin e kësaj certifikate profesionale.

Por dyndja e menjëhershme e shoferëve për t’u pajisur me këtë dokument, krahas dokumenteve të tjera, ka bërë që të krijohej edhe radhë e konfuzion. Megjithatë, drejtuesit e këtyre mjeteve që u ngutën të aplikonin për t’u pajisur me këtë certifikatë, i kanë garuar ato në këtë drejtori. Është qesharak fakti që rrinë në radhë për të aplikuar e për t’u pajisur me certifikatë dhe nuk tërheqin dokumentin e tyre. Për çdo shkronjë sipas alfabetit, janë me qindra certifikata të aftësimit profesional dhe leje drejtimi që rrinë në sirtarët e kësaj drejtorie, sepse shoferët “përtojnë” t’i tërheqin e t’i marrin për t’i vënë në shërbim të tyre. 

K.H.