Prej së dielës që është vënë në qendër të debateve për realizimin e intervistës me të dënuarin me burg përjetë Marjan Rroku, moderatori Ardit Gjebrea ka reaguar sot për herë të parë duke dashur të sqarojë pozicionin e tij përballë vrasësit.

Në një prononcim të rastësishëm për “Shqiptarja.com”, Gjebrea ka sqaruar se qëllimi i rubrikës “24 orë me…”, ishte vetëm sa të sillte një pjesë të realitetit të të burgosurit dhe jo të pasqyronte provat e palëve.

“Ideja jonë ishte të intervistonim një të burgosur me burgim të përjetshëm. Thjesht, si jetojnë, çfarë mendojnë, emocionet, sigurisht krimet e kryera. Kishim disa në diskutim, por është zgjedhur Marjan Rroku, për shkak se krimi i tij ka tronditur opinionin në atë periudhë dhe se e kemi parë të arsyeshme të flasim me të. Pasi kemi marrë dhe miratimin e tij dhe lejen nga autoritet e burgut, ku jemi kontrolluar 4 apo 5 herë, kemi realizuar xhirimet brenda në burg.

Sigurisht që ai është dënuar për një krim shumë të rëndë, prandaj është dënuar dhe me burgim përjetë. Mirëpo ju siguroj se edhe nëse do kishte një tjetër personazh të dënuar me burgim përjetë do të kishte reagime, kjo pasi do sillte reagimin e palës tjetër të dëmtuar, siç dhe ndodhi. Ne nuk bëmë intervistë për të bërë drejtësi. Ky nuk ka qenë qëllimi im të merrem me provat dhe të sjell reagimin e palëve, por thjesht të sjell një personazh të dënuar me burgim përjetë, në rubrikën 24 orë”, është shprehur Ardit Gjebrea.