Banorët e plazhit janë ngritur sërish në protestë mëngjesin e sotëm, për shkak të mbylljes së kryqëzimit kryesor me trafikndarëse në segmentin e unazës së Plazhit.
Mes shumë banorëve të lagjes, kanë dalë për të protestuar edhe fëmijë të vegjël, që mbajnë veshur në mënyrë simbolike nga një jelek fosforishent si ato të punonjësve të policisë, ku shkruhet: “Shkollën e dua, prandaj po rrezikoj”.
Fëmijët, të cilët kanë lënë mësimin për t’u ngritur në protestë së bashku me prindërit e tyre kanë bllokuar për minuta të tëra unazën e plazhit. Dëshira e tyre është vetë një: të zhbllokohet rruga e të shkojnë si zakonisht në shkollë.
Një ditë më parë, është kryer mbyllja e kryqëzimit kryesor që lidh zonën e Shkozetit me Plepat, me qëllim për të shmangur aksidentet rrugore, që në këtë aks kanë qenë të shpeshta. Por, ky bllokim me trafikndarëse nuk është zgjidhje për qindra banorë të kësaj zone, përkundrazi, lëvizjet e tyre vështirësohen akoma dhe më shumë, pasi nuk kanë ku të kalojnë.





