Pas negociatave me një pjesë të përfaqësuesve të biznesit pasditen e sotme, Bashkia e Tiranës është tërhequr dhe ka pranuar rishikimin e taksave të vendosura. Në një komunikatë zyrtare, Bashkia e Tiranës bën me dije se do të ketë një rindarje të zonave për llogaritjen e tarifave që duhet të paguajnë bizneset për zënien e hapësirës publike.

Propozimi parashikon heqjen e taksës 2 500 lekë për tavolinë për baret dhe restorantet për të gjitha kategoritë e biznesit.

Gjithashtu, zonat e tarifimit ndryshojnë si më poshtë:

  • Zona A – vetëm ish-Blloku dhe bulevardi kryesor – 1500 lekë/m2
  • Zona B – unaza e vogël e Tiranës – 750 lekë/m2
  • Zona C – pjesa jashtë unazës – 400 lekë/m2

"Një tjetër lajm i mirë për të gjitha bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e tyre ekonomike në Tiranë është që për muajin janar dhe shkurt nuk do të paguajnë taksat e vendosura më 30 dhjetor 2015 dhe që u kontestuan përmes protestave," – thuhet në deklaratën e zyrës për shtyp të Bashkia e Tiranës.

Bashkia e Tiranës e cilëson takimin të suksesshëm për të gjitha bizneset, "pasi do të ulet një peshë e madhe taksash që do të duhej të paguanin për Bashkinë e Tiranës." Kryebashkiaku Erion Veliaj pritet t’i propozojë Këshillit Bashkiak ndryshimet përkatëse. Megjithatë, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve, e cila sot paditi në kryebashkiakun Veliaj, ende nuk ka dalë me një qëndrim nëse e pranon ose jo propozimin e Bashkia e Tiranës.