Kryeministri Edi Rama vizitoi dy kompani të ndryshme në Krujë, që kanë përfituar nga financimet për sektorin e bujqësisë. Promovimin e projektit të qeverisë për zgjerimin e hapësirave me sera, kryeministri e vijoi duke vizituar një tjetër kompani, këtë herë në Bubq të Krujës, që merret me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Më pas, kryeministri vizitoi mjediset e një tjetër kompanie që ka zgjeruar biznesin e saj në ruajtjen dhe tregtimin e fruta-perimeve. Kryeministri Rama tha se agjencitë përkatëse do të orientojnë fermerët për të aplikuar në programin mbështetës. "AZHBR do t'u ndihmojë si të aplikoni me programin e ri, një program kreditimi me interesa të ulët i garantuar nga shteti shqiptar që do t'u vijë në ndihmë të gjithë atyre që duan të shtojnë investimet apo duan të bëjnë investime të reja në bujqësi, me një hapësire prej 300 milione eurosh në tre vjet,” – tha kryeministri.
Ai inkurajoi fermerët që të përfitojnë nga programi i ri nxitës për bujqësinë. "Ne e kemi dyfishuar sipërfaqen e serave këto dy vjet. Po ecëm me këtë ritëm do të kemi një mbulim të atillë në territor që do të mund të kemi një rritje të mëtejshme të eksportit dhe do të ezaurojmë kërkesën e tregut vendas për një sërë produktesh, duke vazhduar ta ulim deficitin tregtar. Ndërkohë që unë do ju nxisja që të përfitoni nga programi i ri i nxitjes së bujqësisë, qoftë për serat, ku ne për çdo 10 hektarë do të japim 100 mijë dollarë në 5 vjet. Për çdo fermë 100 ha japim 1 milion dollarë në 5 vjet, direkt mbështetje. Ndërkohë me fondin e garancisë që kemi ndërtuar tani me BERZH janë 300 milion euro në dispozicion në tre vitet e ardhshme për gjithë ata që duan të investojnë duke marrë kredi me interes të ulët," – shtoi kryeministri Rama.