Policia e Shtetit dhe Inspektoriati Ndërtimor dhe Urbanistik Kombëtar kërkojnë prishjen e një karburanti në autostradë, dhe pse pronarët pretendojnë se ata posedojnë gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor, që nevojitet për ushtrimin e një aktiviteti në fushën e hidrokarbureve. Që në orët e para të mëngjesit, forca të shumta të Policisë se Shtetit dhe INUK mësohet se kanë mësyrë pranë ambienteve të karburantit, i cili ndodhet në zonën pranë kilometrit 22 në autostradë, Maminas.

Të ndodhur në këtë situatë, pronari i karburantit, Petrit Halili, dhe familjarët e tij kanë kërkuar një urdhër me shkrim për prishjen e objektit, por policët dhe punonjësit e INUK, megjithëse nuk e dispononin një të tillë, kanë këmbëngulur në prishjen e objektit, duke u shprehur se kishin urdhër nga “lart”. Sipas tyre, urdhri nga “lart” ishte ultimativ: “Ose prisheni atë objekt, ose largoheni nga puna”.

Policët dhe punonjësit e INUK u kanë pranuar familjarëve të Halilit se do të zbatonin urdhrin, pasi nuk kishin rrugëdalje tjetër veç largimit nga puna.

Konflikti i nisur që në orët e para të mëngjesit vazhdon, për më shumë ndiqni videon bashkëngjitur.

Marrë nga Agjencia e Lajmeve Sot