Një projekt i ri i qeverisë, që synon trefishimin e sipërfaqes së serave brenda vitit 2017, eshte promovuar sot nga kryeministrin Edi Rama, në Krutje të Lushnjes. "Agro100" është emërtuar nga qeveria projekti, që synon trefishimin e sipërfaqes me sera deri në fund të vitit 2017. Programi ofron mbështetje direkte financiare për ata investitorë që do të ndërtojnë sera nga 10 deri në 100 ha. Për të promovuar këtë mbështetje të re me prodhuesit dhe agropërpunuesit, kryeministri Rama vizitoi serat e kompanisë Agrocon, në Krutje të Lushnjes, ku po ngrihen serat më të mëdha në vend.

Sipas kryeministrit, viti i kaluar ka regjistruar një rritje të eksporteve falë shtimit të ndjeshëm të sipërfaqes së serave. "Fondi kombëtar i garancisë në bujqësi, – theksoi kryeministri Rama, – do të ofrojë mbështetje për kreditim nga bankat, për të gjithë ata që kërkojnë të investojnë në teknologji inovative." Gjatë vizitës në Lushnje, kryeministri inspektoi gjithashtu edhe rehabilitimin e digës Murriz-Thanë, një investim prej 1.9 milionë euro që rikthen në funksionim normal një prej rezervuarëve më të mëdhenj në vend.