Hamami i Durrësit është lënë në mëshirë të fatit i mbyllur për vizitorët dhe pa restaurim, pavarësisht se është një ndër objektet më të vjetra në zemër të qytetit bregdetar. Dritaret vetëm emrin kanë të tillë, sepse në vend të xhamave janë vendosur disa qese plasmasi për të mos depërtuar shiu apo edhe keqbërësit. Aty ky qeset janë çarë edhe uji hyn pa pengesë në hamam.
Sipas specialistëve të arkeologjisë, ky monument është ruajtur i plotë, por nuk i është nënshtruar asnjëherë një rikonstruksioni të plotë për mungesë fondesh. Për shumë vite ka qenë i mbyllur për vizitorët dhe turistët, me gjithë atraksionin e lartë që ka dhe kërkesën e vazhdueshme për ta vizituar. Hamami nuk është restauruar prej së paku 30 vjetësh, ndërsa një projekt i hartuar në 2015-n nga Drejtoria Rajonale është dërguar së fundmi në Ministrinë e Kulturës për restaurimin e tij.
Por banorët e zonës aty ngrenë edhe një shqetësim tjetër serioz. Sipas tyre, në mungesë të rikonstruksionit dhe të dritareve, të rinjtë narkomanë të zonës kanë tentuar disa herë të hyjnë brenda tij. “Nëse do të lihet ende jashtë vëmendjes do të kthehet në qendër për të droguarit e lagjes që janë të shumtë”, tha një banor jashtë kamerës.
Restaurimi i fundit i hamamit është nga vitet ‘80 dhe për afro dy dekada tërhiqte interesimin e vizitorëve vendas dhe të huaj, të cilët vlerësonin “banjën” 200-vjeçare të qytetit antik, që ndodhet disa qindra metra më tej banjave “terma” të periudhës romake. Monumenti që ndodhet pranë Rrugës Tregtare (tani bulevardi “Epidamn”) ka qëndruar i mbyllur prej disa vitesh dhe oborri i tij është dëshmi e degradimit të këtij objekti të trashëgimisë kulturore të qytetit. Banja e periudhës turke ndodhet pranë banesës së familjes se njohur durrsake me kontribut historik, Vokopola. Nuk dihet nëse funksioni i këtij hamami ka qenë publik apo privat.
Planimetria
Në qendër të kompozimit planimetrik të hamamit ndodhet mjedisi i zhveshjes, që mbulohet nga një kube sferike. Në një lartësi maksimale 5.8 metra nga dyshemeja ndodhen 12 dritare shumë të vogla katrore, të vendosura në mënyrë koncentrike në mesin e gjysmësferës. Në kulmin e kupolës ndodhet një gjysmësferë tjetër, me rreze 70 cm, ku hapen tri dritare të tjera rrumbullake, çka plotëson ndriçimin e dhomës. Në të djathtë të kësaj dhome ndodhen edhe dy mjedise të vogla për larje. Dyshemetë e këtyre dhomave ngroheshin me tym ose me avull, nëpërmjet tubacioneve që dilnin nga furra. Kjo e fundit ndodhet në pjesën e pasme të mjedisit të zhveshjes. Njoftimet e para për banjat mesjetare në vendin tonë, si në Elbasan, Berat apo Gjirokastër, jepen nga kronisti turk Evlija Çelebiu në shekullin XVII.
K.H.