Banka e Shqipërisë do të paraqesë muajin tjetër zgjidhjen përfundimtare sesi do të veprohet te 35 borxhlinjtë më të mëdhenj të këqinj në vend. Lajmi bëhet publik në letrën e mirëkuptimit që autoritetet shqiptare i kanë dërguar Fondit Monetar Nderkombetar. "Në fund të marsit 2016 në do të hartojmë një plan të detajuar për trajtimin e 35 mbajtësve më të mëdhenj të kredive të këqija," – thuhet në letër.
Të dhënat zyrtare tregojnë se 35 kompanitë në fjalë, emrat e të cilave nuk bëhen publike, kanë mbi 52 përqind të totalit të kredive me probleme. E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se këto kompani ose grupe tregtare kanë gati 500 milionë dollarë kredi të këqija, duke u shndërruar në burimin kryesor të pasigurive në sistemin financiar dhe ekonominë kombëtare. Procesi për evidentimin e këtyre kompani nisi me kërkesën dhe ndihmën e FMN. Prej disa muajsh, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me bankat private, ku këto kompani kanë marrë kredi, kanë analizuar jo vetëm bilancet, por edhe prespektivën e tyre për të ardhmen. Plani që Banka e Shqipërisë do të paraqesë muajin tjetër do të detajojë pikërisht se ç’pjesë e këtyre kompanive do të lihen në treg dhe ç’pjesë do të çohen për falimentim. Kompanitë në fjalë kanë marrë kredi në rendin e dhjetëra apo dhe qindra milionë eurove në disa banka njëherësh.
Marrë nga Top Channel