Pasuritë e rreth 15 mijë bizneseve në të gjithë vendin janë vënë nën sekuestro nga administrata tatimore për mosshlyerje të detyrimeve. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përditësuar listën e subjekteve debitore me barrë siguruese dhe hipotekore, ku rezulton se 14 887 biznese, ose rreth nje e dhjeta e totalit të subjekteve në Shqipëri, nuk kanë paguar taksat për vite me radhë. Madje, për një pjesë prej tyre detyrimet e papaguara datojnë që prej vitit 2010.
Burime zyrtare pranë administrates tatimore shpjegojnë se, sipas ligjit, bizneseve u janë bllokuar llogaritë bankare apo automjetet, pronat e patundshme dhe gurët e çmuar deri në shlyerjen e plotë të borxhit. Nëse edhe pas kësaj mase ata nuk paguajnë, atëhere pasuritë e tyre do të dalin në shitje. Burimet e mësipërme bëjnë të ditur se gjatë këtij viti do të zhvillohen shumë ankande për shitjen e pasurive të bllokuara me qëllim mbledhjen e detyrimeve dhe shlyerjen borxhit tatimor.