Mbyllet faza e tretë e Olimpiadës Kombëtare të Matematikës 2016, për Klasën XII, dhe fituesi i vërtetë i vendit të parë ishte Gledis Kallço, nga Kolegji “Turgut Ozal”, në Durrës. Ai mori 48, ndonëse në vend të parë ishin renditur edhe Aleksandros Ruci dhe Fjona Parllaku, respektivisht nga Kolegji “Turgut Ozal” në Durrës dhe Tiranë, me nga 45 pikë. Ndërkohë, ndër 11 fituesit e vendeve të para, të dyta dhe të treta, gjashtë janë nga Durrësi. Po nga Durrësi ishte edhe Majla Sulejmani, fituese e vendit të tretë për Klasën IX.

Olimpiada Kombëtare e Matematikës zhvillohet nga disa faza, duke filluar nga faza e parë në nivel qytetesh dhe në fazat e tjera në nivel rajonesh, për të ardhur në fazën e katërt, që është edhe faza finale, dhe që do të zhvillohet më 1 – 9 qershor 2016.

Gledis Kallço nuk e ka për herë të parë një rezultat të tillë. Ai ka marrë pjesë rregullisht dhe ka fituar në olimpiada kombëtare. Ndërkohë, ai ka përfaqësuar vendin në disa olimpiada ndërkombëtare. Vitin e kaluar, ai u kthye nga Olimpiada Ballkanike e Matematikës me medalje bronzi.