Pesë ditë nga pushimi i padisë së parë ndaj kreut të demokratëve, Lulzim Basha, ministri i Shëndetësisë e ka paditur sërish këtë të hënë në gjykatën e Tiranës.

Padia është depozituar këtë të hënë dhe pritet që gjatë javës të përcaktohet edhe data e nisjes së seancës mes ministrit të Shëndetësisë dhe kreut të opozitës. Padia e Beqajt ndaj Bashës ka në thelb akuzat e bëra nga kreu i PD-së për vjedhjen e 31 milionë eurove.

Sipas Beqajt, “milionat e miliardat janë fjalë goje, dhe kjo, ndoshta vjen për faktin se ai ende nuk ka provuar përpara drejtësisë së nuk ka grabitur pjesën e tij të milionave nga thesi i korrupsionit me rrugën Durrës-Kukës. E siguroj opinion publik se përballjes me drejtësinë në gjyqin me kryeshpifësin e Partisë Demokratike, unë nuk do t’i shmangem duke paraqitur raport mjekësor për të djegur afatet e gjykimit siç bëri Lulëzim Basha”.