Askush nga banorët e Durrësit, por edhe më gjerë nuk i ka harruar pamjet e tmerrit që shkaktoi lumi Erzen me përmbytjet në banesa e biznese.

Bashkisë së Shijakut iu deshën pesë ditë për të evidentuar të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytja e 7 janarit të 2016-s e lumit Erzen. Por pas 45 ditësh, fatura me vlerë 36 milionë lekë të rinj, të dëmeve të konstatuara të 148 familjeve të përmbytura, në orendi elektroshtëpiake dhe mobilie, ende nuk i ka kaluar për miratim prefekturës së rrethit, institucion i cili ka detyrimin ligjor ta përcjellë në qeveri për kompensim.

Ardian Kokomani, kreu i bashkisë së Shijakut, në një prononcim për “DurrësLajm” tha se zyra juridike ka punuar për vlerësimin e dëmit të shkaktuar, i cili është llogaritur në një vlerë totale për qytetin e Shijakut, Xhafzotajn, Gjepaljan e Maminasin në një shumë prej 36 milionë lekësh.  

“Për kompensim janë parashikuar vetëm dëmet e shkaktuara në orendi elektroshtëpiake dhe mobilie. Nuk përfshihen dëmet e shkaktuara në gjënë e gjallë, që mund të jetë mbytur e ngordhur. Banorët mund të kenë më shumë pretendime, por vetëm këto janë klasifikuar. Nga verifikimi në terren është parë që ka edhe banesa të cilat kanë pësuar çarje e cedim të mureve apo tavanit, si pasojë e rrëshqitjes së dherave, të përmbytjeve etj, por kjo nuk është llogaritur, sepse do të kalojë në procedura të tjera. Po kështu, në këtë faturë nuk janë llogaritur dëmet e shkaktuara ndaj biznesit. Bashkia nuk merret me këtë çështje, sepse nuk u shpall gjendja e emergjencës, pavarësisht problematikës së madhe. Biznesi ka hartuar vetë raporte me vlerësues të dëmeve të shkaktuara, dhe i dorëzon në degën e Tatim -Taksave, por bashkia nuk ka tagër që të evidentojë dëmet e tyre”, pohoi juristja e bashkisë së Shijakut.

Fatura me dosjet e dëmshpërblimeve për çdo familje, pritet që këtë javë të dorëzohet në prefekturë, ndërsa ky institucion ta dëgjojë më lart në organet qeveritare për dëmshpërblimin e banorëve. Nga përmbytja e fillim janarit, me dhjetëra banesa në Shijak u mbuluan tërësisht nga uji dhe llumi i Erzenit, ndërsa fatmirësisht banorët u larguan në kohë nga shtëpitë, duke shmangur tragjedi njerëzore. Lumi Erzen, brenda 30 minutash zaptoi pasurinë e tyre, ndërsa për dëmshpërblimet, duhen muaj të tërë pritje për banorët. 

K.H.