*Prioritet subjektet prodhuese
Kriza ekonomike që ka goditur rëndë ekonominë e qytetit numër dy të vendit , ka detyruar bashkinë e Durrësit të marrë një sërë masash në drejtim të uljes së taksave dhe tarifave vendore. Burimet zyrtare nga bashkia bëjnë me dije se prioritet i është dhënë subjekteve prodhuese dhe kategorizimit të taksave sipas zonave.
Kështu është ulur me 30 % taksa për biznesin, nga 400 lekë për m2 bëhet në 280 lekë për m2. Po kështu është ulur me 50 % taksa e ndërtesës për subjektet prodhuese që nga 400 lekë për m2 bëhet në 200 lekë për m2 në bashkinë me qendër në Durrës, ndërsa për Manzën dhe Sukthin bëhet 100 lekë për m2, ndërsa për Ishmin, Katundin e Ri dhe Rrashbullin bëhet 50 lekë për m2.
Ulja e taksave për biznesin nga ana e bashkisë është në vazhdën e politikave dhe ligjeve të miratuara nga qeveria shqiptare për uljen e taksave për biznesin, ku tashmë është miratuar me ligj që subjektet me xhiro vjetore nga zero deri në 5 milionë lekë, tatimi mbi fitimin u bëhet zero, ndërsa bizneseve me xhiro vjetore nga 5 deri në 8 milionë lekë, tatimi mbi fitimin u ulet nga 7.5 % në 5%.
Tre zërat e rëndësishëm ku bazohen të ardhurat e bashkisë janë: Taksat e tarifat vendore, arkëtimi i të cilave pritet të jetë 1.35 miliardë lekë, këtu përfshihen taksa e ndërtesës, truallit, tokës bujqësore, e pasurisë së paluajtshme, ndërtimit në infrastrukturë, etj ndërsa në tarifat janë pastrimi, ndriçimi, gjelbërimi, etj. Zëri i dytë i rëndësishëm është transferta e pakushtëzuar 573 milionë lekë, si dhe zëri i tretë është transferta specifike e cila do të jetë 280 milionë lekë. Totali i të tria këtyre zërave është 2.21 miliardë lekë.
Reforma administrativo-territoriale ka sjellë ndryshime të ndjeshme në bashkinë e Durrësit. Me shtimin e 5 njësive: Ishëm, Manzë, Sukth, Katund i Ri dhe Rrashbull, sipërfaqja e bashkisë nga 46.3 km2 ka shkuar në 346.55 km2. Ky ndryshim reflektohet edhe në numrin e popullsisë, i cili nga 212.000 banorë ka shkuar në 306.000 banorë. Duke u bazuar në këtë reformë, institucionit të bashkisë i shtohen funksione të tjera si: Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, personeli në arsimin parashkollor dhe atë parauniversitar, rrugët rurale, administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi, dhe në këtë mënyrë burimet njerëzore shkojnë në 1533 punonjës.
K.H.