Presidenti Bujar Nishani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kerkesën për interpretim të nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Shqipërisë, që lidhet me dekretet për ndryshimet në qeveri. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetueses, publikuar sot nga zyra e shtypit e Presidentit të Republikës, parashtrohet çështja e dekretimit të shkarkimit të dy ministrave, Shkëlqim Canit nga posti i ministrit të financave dhe Arben Ahmetajt nga posti i ministrit të zhvillimit ekonomik, turizmit, tregtisë dhe sipërmarrjes, dhe e dekretimit të emërimit të dy ministrave të rinj, respektivisht Arben Ahmetaj dhe Milva Ekonomi.

Më datë 17 shkurt, kryeministri Edi Rama i ka propozuar presidentit Nishani dekretimin e shkarkimeve dhe të emërimeve. Ndërkohë, po më 17 shkurt, presidenti Nishani ka dekretuar shkarkimet, dhe pret shqyrtimin nga Kuvendi të dekreteve të tij. Dekretet mund të hyjnë në fuqi vetëm nëse ato miratohen nga Kuvendi. Presidenti Nishani kishte sqaruar se dekretimi i emërimeve do të bëhej sapo të krijoheshin vendet bosh në qeveri, që nënkuptonte miratimin nga Kuvendi të dekreteve të shkarkimit.

Por, Kuvendi ka refuzuar t'i shqyrtojë dekretet e shkarkimit, duke pritur kështu edhe dekretet e emërimit, pasi presidenti është i detyruar të nxjerrë një dekret të tillë brenda javës nga marrja e propozimit nga kryeministri. Ndërkohë, presidenti Nishani tani mban pezull gjithçka, pasi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar këtë ngërç.