Policia e Durrësit ka reaguar në lidhje me grabitjen e sotme në Durrës, vetëm pak pasi lajmi u publikua nga portali “DurresLajm”.
Ngjarja ka ndodhur që në orën 07:50 të mëngjesit, kur tre persona të maskuar dhe të armatosur i grabitën një kambisti një shumë të konsiderueshme parash.
Policia e mbajti të fshehtë ngjarjen për gjatë gjithë ditës, dhe shpërndau një njoftim zyrtar për mediet vetëm në orën 20:40 të mbrëmjes. Sipas njoftimit të policisë, thuhet se tre autorët i kanë grabitur shtetasit Gavrosh Koçilja, 53 vjeç, një shumë prej 15 mijë eurosh. Ndërkohë, mësohet se kambisti ka deklaruar në polici se shuma e parave të grabitura ishte 30 mijë euro, ndërsa policia jep një tjetër version, duke thënë se janë grabitur rreth 15 mijë euro.
Përpos faktit që policia heshti për këtë ngjarje, edhe shuma e parave të grabitura mbetet ende e paqartë.
Ngjarja
Mësohet se kanë qenë tre persona të armatosur dhe të maskuar, të cilët kanë grabitur me dhunë kambistin Gavrosh Koçilja. Njëri prej autorëve ka qenë duke pritur në një makinë tip "Opel", ndërkohë që dy të tjerët sapo kanë parë kambistin të dalë nga hyrja e pallatit të tij, e kanë goditur me qytën e pistoletës në kokë dhe më pas i kanë lidhur duart me kabullin e një karikusi celulari. Menjëherë, ata kanë marrë paratë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërkaq, në ambientet e Komisariatit të Durrësit janë shoqëruar 13 persona me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Efektivët e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.





