ISIS-i ka ekzekutuar një adoleshent, vetëm sepse ai po dëgjonte muzikë perëndimore.
Ayham Hussein, 15 vjeç, fillimisht u arrestua nga militantët e Shtetit Islamik, pasi u kap duke dëgjuar muzikë pop me një CD player. Më pas, ai u nxor para një ‘gjykate’ islamike, që e dënoi me vdekje dhe ekzekutimi u krye në publik.
Ngjarja e tmerrshme ndodhi në qytetin e Mosulit në Irak, ku sipas asaj që raportojnë mediet ndërkombëtare, adoleshenti ndodhej në tregun Nabi Younis së bashku me babanë e tij, kur u kap nga militantët famëkeq.
Ekzekutimi, që besohet të jetë i pari në këtë qytet për shkak të muzikës që dëgjojnë njerëzit, ka shkaktuar zemërim të madh te banorët, që pretendojnë se në ligjin e sharias nuk ekziston një gjë e tillë.