Pasi ka dale nga burgu, Gjergji Thimio ishte në "News24" për të folur për të vërtetën e tij ne lidhje me trafikimin dhe vjedhjen e ikonave. Koleksionisti Gjergji Thimio ka marrë leje nga burgu dhe ka folur për akuzat ndaj tij të bëra nga kryeministri Edi Rama. Thimio tha se operacioni i arrestimit të tij dhe sekuestrimi i veprave të artit ishte një njollë turpi në gjoksin e Policisë se Shtetit. "Nuk ishte operacion për të luftuar trafikun e veprave të artit. Ishte një show. Ishte një operacion banditesk, kriminal, i ideuar në skutat më të errëta nga qarqet shoviniste. Zhduku një nga muzetë e licencuar në Ballkan, mbi 3000 objekte. Mbronte ekzistencën e shtetit shqiptar," – deklaroi Thimio.

Ai tha se "Gjergji Thimio nuk është ashtu si e etiketoi kryeministri." "Kryeministri pas këtij operacioni është shprehur para mediave "Falënderoj policinë për kapjen e kësaj bande". Koleksionin tim të ligjshëm e quajti një thesar në duart e trafikantëve. Zoti Kryeministër më dënove padrejtësisht. Gjegji Thimio është më i ligjshëm sa vetë ligjet. Galeria ime ishte veprimtari e aprovuar nga Ministria e Kulturës. Unë nuk jam hajdut. Të gjithë aktivitetin tim e quajte të paligjshëm, aktiviteti im është i ligjshëm," – u shpreh koleksionisti.

Ai ka treguar foto, në të cilat shfaqet edhe kryeministri Edi Rama, gjatë ekspozitave të tij, ku janë shfaqur pikërisht pikturat dhe veprat e sekuestruara. "Kjo është ekspozita e parë e organizuar nga kryeministri Edi Rama, këtu është trupi diplomatik, në të njëjtën ekspozitë. Limpreht ka urdhëruar që të bëhej dokumentari "Heronjtë e Shqipërisë" për ekspozitën time. Në vitin 2006 është organizuar në Shqipëri një konferencë për luftën kundër trafikut të veprave të artit. Ja ku janë ikonat që kryeministri i quajti të vjedhura," – ka vijuar më tej Thimio.

Gjergji Thimio akuzoi ministrin e brendshëm Saimir Tahiri se e ka kërcënuar me kokën e vajzës. Megjithëse u pyet nga gazetarët për më shumë detaje lidhur me këtë pretendim, Thimio nuk pranoi të fliste më gjatë. Ai këmbëngul se ka vepruar në përputhje me ligjin dhe është dënuar padrejtësisht. "Zoti kryeministër, unë do të të akuzoj publikisht dhe do të denoncoj. Nuk e kemi sistemin e drejtësisë të kalbur pavarësisht se me keni dënuar padrejtësisht. Unë jam arrestuar për ikonën e Onufrit. Aktualisht ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar. Gjergji Thimio është më i ligjshëm se vetë ligji," – shprehet ai.

Gjergji Thimio thotë se është i sigurt për ndikimin e kryepeshkopit Janullatos në arrestimin e tij. "Këtu është ndikimi i Anasatas Janullatos. Unë jam nga Vithkuqi i Korçës, jap nipi i priftit që u helmua nga Patriarkana, pasi këndohej shqip në kishë. Kam nënshtetësi e pasaportë amerikane. Dhe një nga shkaqet që unë jam arrestuar është implikimi i qarqeve sllavo-ortodokse dhe Anasatas Janullatos," – u shpreh ai.

Thimio akuzoi drejtpërdrejt për arrestimin e tij dhe operacionin "Ikona" kryeministrin Edi Rama, deputetin Koço Kokëdhima, kreun e ALUIZNI, Artan Lame, dhe ish-drejtorin e Muzeut “Onufri”, Sami Starovën. "Sami Starova i vidhte ikonat e Onufrit dhe ja jepte Edi Ramës. Kokëdhima më ke kërkuar të çoj koleksionin tim në Itali e Francë kundrejt pagesës prej 1 milion e 100 mijë euro, por nuk kam pranuar se ke dashur ta zëvendësosh me vepra të falsifikuara… M’i vodhi Koço Kokëdhima që kater vjet hiqej si mik shtëpie, e mbante nipin tim në krah e i thoshte do të çoj në shkollë, ja ngriu buzëqeshjen në buzë," – tha koleksionisti.

Gjergji Thimio i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të heqë dorë nga kërcënimet duke denoncuar letrat kërcënuese që i kanë shkuar në burg.

Marrë nga BalkanWeb & Lajmi i Fundit