Ujësjellës Kanalizime Durrës përfundon investimin për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të zonës së Lagjes 18, në rrugën kryesore “Mbreti Pirro” dhe rrugën dytësore “Glaukia”, bashkë me sistemimin e ujërave të shiut. Investimi në fjalë u realizua pasi janë marrë parasysh gjendja e rrjetit aktual dhe ankesat e banorëve të zonës për ndotjen e ujit të pijshëm dhe furnizim jonormal në sasi dhe cilësi.
Për normalizimin e situatës projekti kishte parashikuar shtrimin e një linje të re furnizimi me tubacion 315 mm dhe 400 mm. Investimi nis nga rrethrrotullimi i Kënetës, nga ku bëhet shpërndarja për gjithë zonën në fjalë, gjë që pritet të ndikojë dukshëm në rritjen e orarit të furnizimit me ujë. Duke qenë se zona në fjalë ka edhe probleme që lidhen me përmbytjet gjatë stinës së dimrit, ishte menduar që të ndërhyhet edhe në sistemimin e ujërave të bardha duke ndërtuar një tubacion 400 mm, me tub plastik të brinjëzuar. Në lidhje me linjat e shpërndarjes në zonat e Lagjes 18 dhe Lagjes 17, ato janë ndërtuar pjesërisht të reja, ndërsa një pjesë do të jenë linjat ekzistuese. Lidhja e tubacionit të ri është bërë ne tubacionin 500 mm pranë kryqëzimit që njihet me emrin “Rrota e Qerres”, i cili furnizon me ujë qytetin e Durrësit. Në total punimet janë kryer për rreth një muaj dhe investimi ka vlerën e 9.9 milion lek me TVSH, fonde të Ujësjellës Kanalizime Durrës.





