Për shkak të punimve për ndërtimin e unazës së vogël do të jenë të bllokuara disa rrugë dhe për disa të tjera do të ndryshojë sensi i lëvizjeve. Qytetarët e Tiranës dhe ata që vijnë për ta vizituar duhet të bëjnë kujdes sepse rrezikojnë të mbeten në trafik. Ja skema e lëvizjes në Tiranë që nis nga data 18 Shkurt. Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet i drejtuar si më poshtë:
- Në kryqëzimin e bulevardit “Zog I” me rrugën “Ded Gjo Luli” – drejtim i detyruar drejt
- Në kryqëzimin e bulevardit “Urani Pano” me rrugën “Ded Gjo Luli” – drejtim i detyruar djathtas dhe majtas
- Në kryqëzimin e rrugës së “Durrësit” me rrugën “Ded Gjo Luli” – drejtim i detyruar djathtas
- Rruga “Abdi Toptani”, me një sens lëvizjeje me drejtim nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në rrugën “George W Bush”, do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë në të dy krahët e saj
- Rruga “Çamëria”, me një sens lëvizjeje me drejtim nga rruga “Ibrahim Rugova” deri në Sheshin “Skënderbej”, do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë në të dy krahët e saj
- Ndalohet parkimi i mjeteve në rrugën e "Barrikadave", segmenti "Luigj Gurakuqi" deri në rrugën e “Dibrës”
- Në rrugën e “Barrikadave” do të lihen të lira tre korsi lëvizjeje
Qarkullimi dhe stacionimi i mjeteve të transportit urban qytetës do të jetë si më poshtë:
- Linja Institut – Qendër do të kryejë rrotullim përreth Sheshit “Skënderbej” dhe do të stacionohet përpara Muzeut Kombëtar
- Linja Laprakë – Qendër do të kryeje rrotullim përreth Sheshit “Skënderbej” dhe do të stacionohet përpara Muzeut Kombëtar
- Linja Kamëz – Qendër, City Park – Qendër dhe Vorë – Qendër do të kryejë rrotullim përreth Sheshit “Skënderbej” dhe do të stacionohet pas Pallatit te Kulturës
- Stacioni ekzistues te rruga e “Barrikadave” do të zhvendoset te rruga “Luigj Gurakuqi”
- Stacioni ekzistues te sheshi “Skënderbej” në krah të Bankës së Shqipërisë kalon te rruga e “Kavajës” përpara semaforit, ku segmenti në fjalë do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë
- Mjetet që ushtrojnë aktivitetin e tyre me itenerar nga Kosova për në Tiranë dhe anasjelltas, si në linjë të rregullt ashtu dhe turistike, do të stacionohen te sheshi i pallatit të sportit “Asllan Rusi”





