Një javë pasi djali i tij i vetëm Xhevahir Brasha u përcoll për në banesën e fundit, i vrarë në derë të shtëpisë, Arsim Brashën, babain e tij 80-vjeçar, e brejë pyetjet: “Përse e vranë djalin?” dhe “Kush e vrau?”
Në derën e vilës trekatëshe janë të shumtë të afërmit që të presin, ndërsa ju drejtohemi për kafe. Në katin e parë, në një salon të gjerë, janë rreth 10 burra që, siç e do zakoni, ulen pasi ju ke dhënë dorën e ngushëllimit. Arsimi është më i vjetri, është babai i 41-vjeçarit Xhevahir Brasha, emigrant në Angli, që u qëllua nga pas shpine, mbrëmjen e 10 shkurtit. Babin e tij të moshuar e brejnë shumë pyetje, shumë pikëpyetje janë ngritur pas vrasjes së të birit, ndërsa ende nuk kanë asnjë pistë se kush mund të jetë autori.
"Ne nuk e mësuam dot se ku kish qënë më parë Xhevahiri. Ai kish dalë me shokë për kafe. Para se ta vrisnin, 30 minuta më parë, sa kish nisur një vesë shiu, po vesonte. Na mori në telefon e na tha që a ka drita në shtëpi se do kthehej, do vinte. I thamë që hajde. Pas 30 minutash ne dëgjuam një breshëri arme në derë të portës sonë dhe turravrap kemi dalë. Porta ka qënë e mbyllur, për fat, se plumbat do kishin hyrë në shtëpi. Ne dolëm dhe unë pashë makinën e Xhevahirit në kanal. Unë i dhashë ndihmën e parë, e çuam në spital, në Durrës. E kishin qëlluar nga pas, errësirë ishte, nuk pamë askënd se kush e bëri. Pse e bëri? Ne nuk kemi konflikt me asnjë. As im bir nuk kishte konflikt me njeri. As policia nuk na ka dhënë asnjë version se pse u vra im bir. Ato çfarë ka dhënë gazeta, më pas dhe televizorët, janë kresjtësisht të pavërteta. Si shpifin, si janë kaq të ulët? Unë di të them që djali nuk kishte dhe ne nuk kemi hasmëri me njeri. Policia ta gjejë dhe unë, si prind 80-vjeçar, këtë pres, të më thonë kush e vrau dhe përse u vra në derë të shtëpisë. Nuk më tret dheu," – thotë babai i 41-vjeçarit.
Xhevahir Brasha u qëllua me tre plumba pas kurrizi rreth orës 19:30 minuta të mbrëmjes, më 10 shkurt, ndërsa kthehej në shtëpi, nga një person ende i paidentifikuar. 41-vjeçari, babi i pese fëmijëve, djalit më të madh 18 vjeç dhe dhe vajzës më të vogël 1,5 vjeçe, ishte me dokumenta të rregullta në Angli, me emrin Agim Cakaj, identiet i kunatit të tij nga Kosova. Ai njihej me dy emra, dhe me identitetin kosovar ishte pasijur edhe me nënshtetësi britanike. Në fshatin Fllakë të Durrësit kish mbërritur nga Hasi 10 vjet më parë.





