Arrestohet ish-kryetari i komunës Gosë në Kavajë Sinan Shala, ndërsa ish-shefi i Kadastrës po në këtë qytet Nezir Leçini, është shpallur në kërkim, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve lidhur me ndarjen e tokave në zonën bregdetare të Vilë – Bashtovës të Kavajës.
Prokuroria e Kavajës ka vendosur edhe sekuestrimin e rreth 76 hektarë tokë në zonën e rërës, të ndara në disa parcela, të dhëna në pronësi nga disa ish-zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës.
“Nga hetimet e Prokurorisë, të nisura në bazë të materialit nga Njësia Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka rezultuar se, nëpërmjet një mekanizmi të ndryshimit të strukturës së tokës nga “tokë pa fryt” në “tokë-arë”, me anën e dokumenteve të falsifikuara, u është dhënë pronësia personave të ndryshëm, duke tejkaluar normën e përcaktuar në ligj për familje, si edhe shtetasve të tjerë, të cilët nuk përfitonin nga kjo e drejtë.
Pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës bregdetare, të shpërndarë nëpërmjet këtij mekanizmi abuziv, tashmë është tjetërsuar në emër të personave të tjerë, të cilët i kanë blerë në shuma të konsiderueshme. Blerësit e rinj i kanë regjistruar këto prona në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, informoi sot Prokuroria.
Zhvillimet e sotme janë pjesë e hetimit të nisur disa kohë më parë, gjatë të cilit janë arrestuar para disa javësh edhe tre ish-zyrtarë të tjerë, përfshirë ish-kryetarin e zonës së ndarjes së tokave dhe ish-kryeregjistruesi i Kavajës.
Ndërkohë, Prokuroria e Kavajës po vijon hetimet edhe për parcela të tjera në zonën bregdetare, për të cilat ka dyshime se mund të jenë ndarë nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.





