Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar buxhetin vendor për vitin 2016, buxhet që është parashikuar në shumën 2,21 miliardë Lekë. Por, buxheti është miratuar vetëm me 29 votat e koalicionit të majtë. Këshilltarët e djathtë opozitarë kanë votuar kundër, duke e quajtur buxhetin si “fiktiv dhe të parealizueshëm.”
Buxheti i Bashkisë së Durrësit, që për këtë vit është 2,21 miliardë Lekë, krijohet nga dy burime: të ardhurat vendore dhe fondet e alokuara nga qeveria. Për këtë vit, këto të fundit, në formë të pakushtëzuar dhe të kushtëzuar, janë pak më shumë se 850 milionë Lekë. Ndërkohë, të ardhurat vendore janë parashikuar të jenë afro 1,35 miliardë Lekë.
Këshilltarët e Partisë Demokratike në opozitë deklaruan votën kundër buxhetit pasi, sipas tyre, “është i parealizueshëm.” Në këndvështrimin e opozitës, rritja e taksave do të vështirësojë mbledhjen e të ardhurave, duke sjellë mosrealizimin e buxhetit.
Megjithatë, mazhoranca theksoi se “buxheti është objektiv dhe i realizueshëm.” Kryebashkiaku Vangjush Dako kundërshtoi qëndrimin e opozitës për taksat e rritura, duke thënë se “taksat janë ulur.” “Taksa e biznesit të vogël është bërë zero,” – tha kryebashkiaku Dako.
Në fund, këshilltarët kanë votuar, duke miratuar buxhetin e këtij viti. Mazhoranca kishte 29 vota, mëse të mjaftueshme për të miratuar projekt-vendimin në rend dite.
K. H.





