Në fakt, nuk bëhet fjalë për flamurin zyrtar të shtetit kinez, por për flamurin shqiptar të prodhuar në Kinë, që nuk është flamuri ynë. Në vizitën e tij zyrtare në Belgjikë, ministri i punëve të jashtme Ditmir Bushati është pritur pikërisht me një flamur të tillë, që nuk është flamuri i shtetit shqiptar.

Ndoshta ai mund edhe të mos jetë prodhuar fare në Kinë, por tashmë ai kështu njihet në folklorin tonë modern. Arsyeja është e thjeshtë: ai nuk është flamuri shqiptar. Mirë do të ishte që të mos ekzistonte fare, por, në fund të fundit, gjasat për të ndaluar qarkullimin e tij janë të pakta. Por, përdorimi i tij në evenimente zyrtare, me bekimin e Protokollit të Shtetit, përbën një skandal në kuptimin e plotë të fjalës. Shteti ynë përfaqësohet me një flamur që nuk është i veti, që nuk është flamuri ynë.

Protokolli i Shtetit, një institucion në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, është pikërisht struktura që merret me organizimin e evenimenteve shtetërore. Në rastin e pritjes së personaliteteve të huaja, apo në rastin e vizitave të personaliteteve shqiptare në vendet e tjera, Protokolli i Shtetit bashkëpunon me strukturat homologe. Ceremoniali Zyrtar i Republikës së Shqipërisë, miratuar me Vendimin nr. 229, datë 23.04.2044, nga Këshilli i Ministrave, është dokumenti që rregullon veprimtarinë e Protokollit të Shtetit dhe, që në fillim, përcakton se Protokolli i Shtetit ka për detyrë “organizimin dhe realizimin e të gjithë veprimtarisë kryesore protokollare të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme për të gjithë veprimtarinë e tyre brenda dhe jashtë vendit.”

Protokolli i Shtetit me ‘flamur kinez’

Nëse do të kishte ndodhur vetëm një herë, do të ishte gabim. Nuk duhet të ndodhte, por gabimet ndodhin. Por, e vërteta është se ka ndodhur shumë herë, dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Për fat të keq, ndodh më shpesh kur personalitetet shqiptare shkojnë jashtë vendit, gjë që dëshmon se magazinat e përfaqësive tona diplomatike janë të mbushura me ‘mall kinez’.

Në vitin 2012, një vizitë e ministrit tonë të punëve të jashtme të asaj kohe në Greqi u bë e famshme, se grekët kishin vendosur mbrapsht një prej flamujve shqiptarë. Por, për fat të keq, edhe vetë flamuri nuk ishte ai i duhuri. Më vonë, gjatë një vizitë të kryeministrit Edi Rama në Kinë nuk kishte se si të ndodhte ndryshe: flamuri shqiptar ishte ‘flamur kinez’. Edhe vitin e kaluar, në disa nga takimet që kryeministri Rama zhvilloi në Rumani, flamuri ishte po ‘flamur kinez’. Këto nuk janë të vetmet raste, gjithsesi.

I fundit ishte ministri i punëve të jashtme Bushati në Bruksel, ku pas tij qëndronte krenar ‘flamuri kinez’ i Shqipërisë.

Që prej shpalljes së pavarësisë, flamuri ynë zyrtar ka pësuar ndryshime, ndonëse shumë të vogla. Ai gjithnjë ka qenë i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare në mes. Por, gjithsesi, ka një ligj të veçantë që rregullon simbolet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe flamurin. Pavarësisht se ligja detyron edhe vetë qytetarët të kujdesen për flamurin zyrtar, shtetit nuk i falet që nuk njeh dhe nuk respekton simbolet e veta. Që prej vitit 1992, Shqipëria ka flamurin e ri zyrtar, por ka raste kur shfaqet edhe flamuri me shqiponjën e para vitit 1992, e cila ka një formë pak më ndryshe nga aktualja. Nuk është aspak e pëlqyeshme, që shteti të përdorë simbole të tjera pa asnjë lloj problemi. Me të vërtetë skandaloze… dhe kjo duhet të ndryshojë… të gjithë ne, duke filluar që nga institucionet shtetërore, duhet të nderojmë flamurin e duhur. Në rats të kundërt, gjithçka nuk do të kishte kuptim.

N. H.