Me rastin e vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, që do të zhvillohet nesër në Tiranë, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit publik duke mobilizuar plot 1548 efektivë policie.
Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj vizite të rëndësishme, strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunojnë dhe koordinojnë masat edhe me institucionet e tjera të sigurisë në vendin tonë si; Shërbimin Informativ Shtetëror, Agjencinë Inteligjente të Mbrojtjes dhe me Gardën e Republikës.
Janë angazhuar punonjës policie nga strukturat e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të rendit publik, Antiterrorit, Policisë Rrugore, të Forcave Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Po kështu për kontrollin nga ajri do të patrullojë një helikopter i Forcave të Armatosura më një grup të Forcave Speciale të Ushtrisë.
Janë parashikuar kufizime të qarkullimit të mjeteve në aksin rrugor kryesor Rinas – bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në disa akse rrugore të qytetit të Tiranës që lidhen me këtë aks.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, si dhe të subjekteve të linjave të shërbimit publik të transportit, kryesisht ato që përdorin rrugët në pjesën veriperëndimore të qytetit të Tiranës që të shmangin lëvizjet në akset ku do ketë kufizime të qarkullimit.
Për rastet e urgjencave apo raste të tjera të emergjencave që kërkohen nga qytetarët, shërbimet e Policisë Rrugore do të bëjnë shoqërimin e mjeteve pranë qendrave më të afërta shëndetësore.





