Një operacion ndërkombëtar antidrogë i koduar “Chema” është zhvilluar mes policive të Shqipërisë, Maqedonisë, Turqisë, Kosovës dhe Serbisë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Chema”, janë arrestuar e ndaluar 18 shtetas, 15 prej të cilëve u arrestuan në Maqedoni dhe Serbi, ndërsa 3 shtetas në Shqipëri.
Burime nga policia bëjnë me dije se në vendin tonë u arrestuan:
Bashkim Murataj, 52 vjeç, banues në Tiranë, Mahir Abdi, 46 vjeç lindur në fshatin Sallarevë të Maqedonisë, dhe Mevlan Idriz, 39 vjeç, lindur dhe banues në Tetovë.
Arrestimi i 52-vjeçarit nga Tirana është bërë gjatë ditës së sotme në zonën e ish-Profarmës, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Ndërsa arrestimi i dy shtetasve nga Maqedonia, është kryer në datën 07.05.2015, nga ana e D.P.V Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Korçë.
Po kështu është bërë e mundur të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale: 73 gramë bimë e dyshuar narkotike kanabis sativa, 4 aparate celularë, 150 euro dhe 1 automjet tip Volkswagen Polo me targë TE 2909 AA.
Në këtë operacion që zgjati rreth 1 vit, në Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi janë sekuestruar në total 3232 gramë heroinë, 4600 gramë kanabis sativa dhe 2.83 gramë kokainë.
Policia e Shtetit thekson faktin se bashkëpunimi midis policive të shteteve të sipërpërmendura ka qenë shumë i mirë, i koordinuar, dhe shkëmbimi i informacionit midis palëve ka qenë shumë intensiv, ku çdo gjë është transmetuar në kohë reale.





