Në përfundim të një maratone të gjatë negociatash në Mynih është arritur marrëveshja për Sirinë. Armëpushimi i vendosur duhet të zgjasë shtatë ditë dhe duhet të garantohet menjëherë shpërndarja e ndihmave humanitare. Kjo parashikohet në dokumentin e aprovuar nga Grupi Ndërkombëtar i Mbështetjes për Sirinë, siç u konfirmua edhe nga sekretari amerikan i shtetit John Kerry.
Sot pritet edhe konstituimi i një ekipi ‘task-force’ nga Kombet e Bashkuara për programimin e ndërhyrjeve ushtarake. Në dokumentin përfudnimtar lexohet se duhet të reduktohet në mënyrë të menjëhershme dhe domethënëse dhuna, duke i dhënë fund konfliktit në të gjithë vendin, brenda një jave. Sekretari amerikan i shtetit Kerry shpjegoi se sa më shumë të zgjasë lufta, aq më shumë përfitojnë ekstremistët, duke nënvizuar se të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë e këtij momenti.
Grupi nNërkombëtar i Mbështetje për Sirinë u krijua në muajin nëntor, pak pas fillimit të bisedimeve për paqe në Vjenë për të zgjidhur krizën siriane. Gjatë takimit në Mynih, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov mbrojti Moskën, duke thënë se Rusia prej muajsh po akuzohet pa asnjë fakt. Sipas tij, çdo gjë është propagandë, e cila njëherë ishte tipike e Bashkimit Sovjetik, por që tashmë është braktisur, ndërsa mediat e vendeve të tjera vazhdojnë ta përdorin. “Në vend që të akuzojmë njëri-tjetrin, duhet të themi që kemi një armik të përbashkët dhe të gjejmë një zgjidhje për ta mundur,” – ka thënë ministri i jashtëm rus Lavrov.