Tirana International Airport shpk, kompania e cila ka marrë me koncesion shfrytëzimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka nxjerrë blof ministrin e zhvillimit ekonomik, turizmit, tregtisë dhe sipërmarrjes Arben Ahmetaj, duke mohuar ekzistencën e një marrëveshje për ndryshimin e kontratës koncesionare, e cila do të liberalizonte fluturimet ndërkombëtare. Rolf Castro-Vasquez, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Tirana International Airport shpk, ka thënë se “kemi që nga 2007 që po negociojmë.” “U ndryshua qeveria, filluam sërish, nuk është e lehtë të ndryshohet një kontratë pas 10 vitesh, – ka theksuar Castro-Vasquez. – Nuk di të jap një afat, por di te them që për momentin nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë.”

Një ndër kushtet kryesore të konçesionit ka lidhje me fluturimet ndërkombëtare, duke i kufizuar ato vetëm tek Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Kjo ka bërë që aeroportet e tjera në vend, ai në Kukës dhe ai në Sarandë, të mos funksionojnë për shkak të mungesës së tregut.

Para afro 10 ditësh, duke folur sot para Komisioni Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ministri Ahmetaj tha se “Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes kanë firmosur pjesën e tyre të marrëveshjes për liberalizimin.” “Dua të ndaj me ju, faktin që dokumenti gjendet për procedurë në bordin e konçesionarit, për të ardhur në qeveri e më pas në Kuvend, sepse është mbyllur me sukses negociata, është realizuar heqja e ekskluzivitetit,” – tha në atë kohë ministri Ahmetaj.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Tirana International Airport shpk ka sqaruar se, për të përmbushur kontratën koncesionare, kompania ka marrë kredi dhe ndryshimi i kontratës koncesionare varet shumë si nga aksionerët, ashtu edhe nga kreditorët.

Marrë me ndryshime nga Mapo.al