Në rast të marrjes së masave të jashtëzakonshme në vend, siç është shpallja e gjendjes së luftës, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendja e fatkeqësisë natyrore, shtetasit shqiptarë janë të detyruar t’i përgjigjen nevojave të Forcave të Armatosura.
Qeveria ka miratuar “Planin e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm të burimeve njerëzore e materiale të vendit gjatë periudhës për të cilën kërkohet vendosja e masave të jashtëzakonshme”, ku përcaktohet edhe se mobilizimi ushtarak është detyrim ligjor i shtetasve për të siguruar plotësimin e njësive e të reparteve të strukturave ushtarake me personel gjatë periudhave në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.
Mobilizimi kryhet në bazë të situatave të veçanta dhe nevojave të Forcave të Armatosura, dhe është Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Qendrës së Personel-Rekrutimit, që harton listën e personelit rezervë.





