Të parët që janë marrë në pyetje nga oficerët e Policisë së Shtetit kanë qenë pikërisht familjarët e viktimës. Krahas sqarimit të identitetit të saktë, marrja e familjarëve në pyetje pritet të sqarojë gjithçka nga jeta e viktimës, me synimin për të zbuluar arsyet që mund të kenë çuar në vrasjen e tij.

Fakti që ai u gjend pranë shtëpisë së tij është dëshmi se personi ose personat që e kanë vrarë kanë qenë duke e pritur. Nga ana tjetër, hetuesit kërkojnë të mësojnë se çfarë kanë dëgjuar familjarët, që i kishte detyruar ata të dilnin jashtë.

Agim Cakaj, 41 vjeç, që më pas u mësua se mbante dhe emrin Xhevahir Brashi, u gjet i vrarë në një kanal, pranë mbikalimit të Fllakës, pranë shtëpisë së tij. Trupi i tij ishte sjellë në Spitalin Rajonal të Durrësit nga i ati, por mjekët pranë Shërbimit të Urgjencës thanë se ai kishte ndërruar jetë nga plagët e marra.

Daja e viktimës ka treguar se ai sapo ishte kthyer nga Londra. Jemin Myftari ka shpjegur se as familja e viktimës dhe as vetë viktima nuk kishin konflikte. Ndërkohë, ai ka thënë se viktima prej vitesh punonte në Angli dhe kishte pak kohë që ishte kthyer në shtëpi, për disa javë pushime.

Nga ana tjeter, pasi ka parë të birin të vrarë, të atit i ka rënë mënjëherë rë fikët. Tani ky i fundit gjendet në Spitalin Rajonal të Durrësit, nën mbikqyrjen e mjekëve.