Trageti “Rhapsody” sapo është ankoruar, ndërkohë që pas pak do të ankorohet edhe “Rigel”. Kapiteneria e Portit të Durrësit, duek parë uljen e forcës së erës, ka lejuar ankorimin e trageteve, të cilat më shumë se 8 orë që prisnin në radën e jashtme të portit. Ndërkohë, edhe trageti “Bridge”, i linjës Ankona – Durrës, i cili pritet të mbërrijë pas afro një ore, do të ankorohet gjithashtu.
Megjithatë, Kapiteneria e Portit të Durrësit njofton se urdhëri i pezullimit të lundrimit është ende në fuqi. Me përjashtim të trageteve, për të cilat u morën masa për ankorimin e tyre për shkak të pasagjerëve, që kishin më shumë se 8 orë që prisnin në det, anijet e tjera tregtare dhe mjetet e peshkimit do të qëndrojnë të bllokuara në kalata.





