I kërrusur dhe i lënduar më së shumti prej dëshpërimit, mësuesi i bio-kimisë Flamur Pajo ka pritur sot pretencën nga prokuroi Dritan Gina, me akuzën e kryerjes së veprimeve arbitrare ndaj një nxënësi të klasës së 7-të.

Por seanca gjyqësore e parashikuar të zhvillohej ditën e sotme është shtyrë, sepse prokurori nuk ka mbërritur në sallën e gjyqit, dhe gjyqtarja e çështjes e ka pritur për më shumë se 20 minuta në sallë. Seanca gjyqësore u shty në mungesë të përfaqësuesit të organit të akuzës, i cili do të paraqiste konkluzionet dhe pretencën, ndërsa mbrojtja e përfaqësuar nga avokati Gramoz Lika pritej të kërkonte shtyrje të vendimit për të përgatitur mbrojtjen. Profesori 51-vjeçar tha se tashmë ai e ka pranuar fajin e bërë prej tij, duke qëlluar një nxënës me pëllëmbë në klasë, e për këtë i ka kërkuar falje prindërve të djalit dhe të gjithë opinionit publik.

51-vjeçari Flamur Pajo, i cili numëron 29 vjet punë në mësuesi, u shkarkua menjëherë nga puna si mësues nga drejtoresha e shkollës, pas publikimit të videos nga nxënësit më 26 janar. Ai është filmuar nga nxënësit e shkollës duke goditur njërin prej tyre. Në akt ekspertimin e mjekësisë ligjore të paraqitur në gjykatë, nuk rezulton që nxënësi i dhunuar të ketë dëmtime të jashtme fizike.

Pajo u shpreh i penduar për veprimin e kryer, para se të lirohej nga salla e gjyqit, por tha se vazhdimisht provokohej nga nxënësit me sjellje dhe veprime të pahijshme. Mësuesi 51-vjeçar i Bio-Kimisë, i padënuar kurrë më parë, u ndalua më 28 janar nga policia e Durrësit, i akuzuar për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, pas publikimit të videos ku shfaqej duke dhunuar një nxënës të klasës së shtatë, pasi ky i fundit i kishte thënë “shurdh”. Menjëherë mësuesi Pajo u shkarkua nga puna, ndërkohë që vetë nxënësi i dhunuar së bashku me shokët e tjerë të shkollës kërkuan rikthimin e tij në shkollë. Edhe vetë nëna e nxënësit të dhunuar, tha se e ka falur mësuesin dhe kërkoi që çdo gjë të përfundojë me kaq.

K.H.