Policia e Shtetit prezantoi dje flotën e saj më të re, 73 motorë të rinj që i shtohen radhëve të uniformave blu. Veç patrullave “Shqiponja”, shumë shpejt në terren do të dalin përkrah tyre edhe skuadra e re e patrullimit, që do të quhen “Delfinët”, shkruan gazeta “Shqip”.
Kjo do të jetë një skuadër e re e përbërë nga djem e vajza të reja, të cilët do të jenë pikërisht me motorët e rinj. “Delfinët” janë konceptuar si një skuadër elitë që do të ketë si detyrë parësore reagimin në kohë sa më të shpejtë në rastet e ngjarjeve kriminale.
Kjo skuadër e re do të jetë e shtrirë në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë. Janë 73 motorë të rinj “Aprilia” që u blenë me një vlerë prej 109.5 milionë Lekësh nga buxheti i Policisë së Shtetit.
Këta motorë janë 750 kubikë dhe kanë një shpejtësi maksimale 220 km/h. Falë këtyre motorëve, skuadra e “Delfinëve” do të mund të arrijë në vendngjarje në kohë rekord dhe të neutralizojë keqbërësit.





