Blutë e Durrësit vijojnë zbatimin e planit të masave në mënyrë intensive dhe të pandërprerë duke ngritur pika kontrolli, kryesisht në akset rrugore kryesore dhe dytësore që paraqesin rrezikshmëri dhe që janë burim aksidentesh për përdoruesit e rrugës.
Vetëm gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, janë arrestuar në flagrancë dy drejtues mjeti për përdorim të pijeve alkoolike.
Eduart Qevani, 26 vjeç nga Tirana, u arrestua në lagjen Nr. 3, në rrugën “Egnatia” , pasi u kap duke drejtuar mjetin tip “Volksvagen” me targa AA 467 LI nën ndikimin e alkoolit në masën 0.70 mg/l.
Xhaferr Shtimo 54 vjeç, nga Tirana, u arrestua në autostradën Durrës-Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin tip “Ford” me targa AA 883 ME ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafik-ndarësen. Nga përplasja është dëmtuar vetë 54-vjeçari, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjatë testit të alkoolit rezultoi në masën 0.87 mg/l.
Gjithashtu, mësohet se gjatë 24 orëve të fundit, janë pezulluar dy leje drejtimi dhe janë vendosur 103 masa administrative.
Policia e Durrësit bën të ditur se do të vijojë kontrollet me të njëjtin intensitet edhe në ditët në vijim dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim dhe çdo shtetas që shkel Kodin Rrugor do të përgjigjet para ligjit.
S.L.





