Një traditë shqiptare, e cila i bën përshtypje shumë të huajve, ka qenë në qendër të një reportazhi të përgatitur nga BBC World. Gazetarja Elizabeth Gowing thotë se kudo nëpër Shqipëri mund të shohësh kukulla prej pellushi, të varura përpara ndërtimeve të ndryshme, qofshin shtëpi ose biznese. "Në shqip i quajnë thjesht majmunë, një fjalë që përdoret për kukullat e buta," –  thotë ajo. Por përse i varin shqiptarët ato? "Kjo traditë shqiptare nuk ka aspak lidhje me fenë. Pronarët e shtëpive e pranojnë dhe është diçka më serioze, pasi majmunët i mbrojnë nga syri i keq," – shpjegon Gowing.

Portali maqedonas Drini.mk ka sjellë në gjuhën shqipe këtë reportazh, që në fakt i përket disa muajve më parë.

Dikush i thotë gazetares se syri i keq mund të çajë një gur në dysh, aq i fuqishëm është. Madje një usta, që ka punuar edhe në Londër, thotë se beson shumë tek syri i keq. "Nuk e kisha varur majmunin tek godina dhe erdhi policia. Po më shkaktonin probleme. Djali im shkoi dhe e bleu një majmun dhe tani nuk kemi më probleme," – sqaron ustai.

Gazetarja thotë se askush nuk di të shpjegojë se nga erdhi ideja fillestare, por ka ardhur pas rrëzimit të komunizmit. Ajo shton se edhe hudhrat përdoren kundër syrit të keq, po ashtu edhe kafkat e disa kafshëve. "Këta majmunë janë idhujt e kapitalizmit. Më të fuqishëm se feja, madje edhe se nacionalizmi, në atë që dikur ishte një shtet ateist. Një nga shtëpitë që kam vizituar është në pronësi të një minatori në pension. Shtëpia e tij mbrohet nga një majmun gri, sa një fëmijë i vogël," – tregon gazetarja Elizabeth Gowing. "E vura sapo ndërtova shtëpinë. Ishte një flamur shqiptar, por atë e hoqa. Atë e vë vetëm kur ka festa. Majmuni qëndron gjithmonë," – i kishte thënë asaj i zoti i shtëpisë.