Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Shtetit në të gjithë vendin ka vijuar zbatimin e masave të përcaktuara për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë fundjavës, mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë, goditjen e trafikut të lëndëve narkotike e trafiqeve të paligjshme, parandalimin e aksidenteve rrugore etj.
Në këtë kontekst, gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm në të gjithë vendin kanë funksionuar pika kontrolli, të përhershme dhe të lëvizshme, ku është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i 31 personave: 11 drejtues automjetesh mjetesh, 3 persona për armëmbajtje pa leje, 10 persona për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, 7 persona të shpallur në kërkim, etj. Njëkohësisht, janë pezullar 43 leje drejtimi automjeti për shpejtësi tej normave të lejuara në qendra të banuara, për konsum të lartë alkooli, etj.





