Prokuroria e Shkodrës, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Shkodrës, vendosi sekuestro preventive mbi nëntë pallate në ndërtim, në zonën bregdetare të Velipojës, në pronësi të subjektit Fishta shpk, me administrator Sait Fishta, të dyshuara si ndërtime të paligjshme.
Bëhet fjalë për sekuestro preventive të dy pallateve të përfunduara dhe të shtatë pallate të tjera në faza të ndryshme të ndërtimit. Sipas projektit, të nëntë godinat planifikoheshin që të ndërtoheshin deri në gjashtë kate. Më herët, Prokuroria e Shkodrës e kishte njoftuar administratorin e subjektit ndërtues Fishta shpk se ai kishte përvetësuar dhe ishte duke zbatuar një lëjë ndërtimi të kundraligjshme. Megjithatë, mësohet se punimet kanë vazhduar edhe pas këtij njoftimi.
Vendimi për sekuestro preventive u mor pasi Prokuroria e Shkodrës nisi hetimet për shpërdorim detyre për disa zyrtarë të Komunës së Velipojës, përfshirë këtu edhe ish-kryetarin e kësaj njësie vendore, të cilët dyshohen se kishin dhënë në kundërshtim me ligjin disa leje ndërtimi në favor të subjektit Fishta shpk.
Leja e ndërtimit për kompleksin e pallateve është dhënë që në vitin 2007, nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Komunës së Velipojës, ndërkohë që, në bazë të ligjeve në fuqi, leje të tilla ndërtimi në zonë bregdetare duhet të miratoheshin nga Këshilli i Rregullimit të Territorit i Republikës së Shqipërisë. Hetimi për këtë shkelje të dyshuar ka nisur që para më shumë se dy vitesh.





