Kontrolli i kamionëve në doganë sipas ligjit duhet të kryhet mbi analizën e riskut të bizneseve. Por është rritur përqindja e riskut nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ku rezultojnë se 50-60% e komionëve janë me risk të lartë, e për pasojë dogana i ka drejtuar në skaner. Kontrollet po kryhen në të gjitha kamionet duke krijuar pengesa e vonesa për bizneset.

Dogana e Durrësit ka ashpërsuar kontrollet ndaj mjeteve të transportit duke u bërë shkak edhe për vonesa disa orëshe si për mallrat e importit ashtu edhe për eksportin. Mjetet i nënshtrohen kontrollit fizik nga dogana, dhe në të njëjtën kohë i nënshtrohen edhe skanimit në pikën e skanerit. Të gjithë kamionët e mallrave janë të detyruar të presin me orë të tëra për t’iu nënshtruar kontrolleve, si në terminalin e trageteve para imbarkimit të tyre në traget, ashtu edhe në pikën e skanimit.

Shoferët dhe biznesi shprehen se e gjitha po ndodh për shkak të frikës që ka kapluar doganierët e Durrësit, se mos transportohet drogë drejt Italisë. “Kontrolle duhet të ushtrohen te mjetet në të cilat ka dyshime të bazuara, por tani frika ka bërë që më shumë se 50% e mjeteve t’i nënshtrohen edhe skanimit edhe kontrollit fizik. Po na pengojnë, po na mbajnë me orë të tëra, ndërkohë që prisnim procedura të lehtësuara, te dogana dhe skaneri, vonesat janë me disa orë”, thonë shoferët e kamionëve nga i gjithë vendi.

Akoma më keq është se të gjithë kamionët e ushqimeve po i nënshtrohen skanimit. “Nuk skanohemi në Itali, skanohen këtu”, thotë një tjetër shofer. Gjatë ditëve të fundit, shoferët thonë se radha e kamionëve ka qenë kilometrike në port, për shkak të kontrolleve të panevojshme.

Të gjithë subjektet import, eksport dhe transit, nëpërmjet një vendimi qeverie janë të detyruara të paguajnë tarifën 22 euro, pavarësisht se i nënshtrohen apo jo skanimit. Absurditeti sipas biznesit, qëndron në faktin se të njëjtën tarifë e paguajnë dy herë. Edhe në Durrës, ku tarifa paguhet detyrimisht, pavarësisht se malli përzgjidhet apo jo për t’u skanuar, ashtu edhe në doganat e rretheve të tjera ku është destinacioni final i mallrave. Shërbimi i skanimit në Durrës duhet të kryhet mbi bazën e riskut të bizneseve, por procedurat doganore i ndryshon sipas humorit që mund të kenë doganierët.