Prej pasdites së djeshme, e deri në orët e vona të natës, në qytetin e Durrësit kanë vijuar kontrollet e policisë në akset e ndryshme rrugore dhe nëpër lokale, me qëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe vënien para përgjegjësisë të shkelësve të ligjit.

Gjatë aksionit policor, efektivët kanë vënë në pranga dy persona, njëri prej të cilëve Sonila Budini, e cila goditi një punonjëse policie gjatë shoqërimit në komisariat dhe 53-vjeçarin Haxhi Gjoka, i cili po drejtonte makinën në gjendje të dehur.

Gjoka, banues në Durrës, u arrestua në flagrancë, pasi në lagjen nr. 13, u kap duke drejtuar mjetin tip “Benz” me targa AA 864 MI, në gjendje të dehur në masën 0.9 mg/l.

Gjithashtu, nga kontrollet e kryera janë pezulluar 3 leje drejtimi, për shkak se drejtuesit e mjeteve nuk kanë qenë të pajisur me dokumentacionin e nevojshëm.

S.L.