Uniformat blu të Durrësit, në përpjekje për të luftuar evazionin fiskal dhe informalitetin, pas një hetimi dymujor, kanë finalizuar me sukses një operacion, ku kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., 45 vjeç, banues në Durrës.

Sipas burimeve zyrtare policore në Durrës, i arrestuari A. K., ambjentet e katit të parë të banesës së tij i kishte përshtatur për ushtrim aktiviteti të paliçensuar, të prodhimit të pijeve alkolike. Në cilësinë e provave materiale atij iu gjetën dhe iu sekuestruan të gjitha paisjet e ushtrimit të aktivitetit, të cilat kapin vlerën rreth 10 000 Euro, sasinë prej 17 500 litra verë të kuqe dhe verë të bardhë, 200 litra raki, dhe 10 000 litra lëndë të fermentuar e gatshme për prodhim e rakisë.

Materialet për këtë çeshtje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqsor të Durrësit për veprime të mëtejshme.