Një kamion me qymyr është zbrazur sot para Ministrisë së Zhillimit Ekonomik, në Prishtinë, nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët po protestonin kundër marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, marrëveshja prej 1 miliard Euro, e firmosur me kompaninë amerikane Contour Global, është e dëmshme për Kosovën, pasi norma e lartë e interesit prej 21% do të reflektohet në një rritje prej 50% të çmimit të energjisë elektrike.

Lëvizja Vetëvendosje propozon që zgjidhja më e mirë do të ishte rindërtimi i Termocentralit "Kosova A", pasi Kosova ka kapacitete dhe potenciale që ta zgjidhë vet krizën e saj energjetike, ndaj kjo ka qenë edhe simbolika e derdhjes së qymyrit përpara ministrisë. Ndërkohë, sipas ministrit të zhvillimit ekonomik Blerand Stavileci, rritja e çmimit të energjisë nuk do të jetë më shumë se 28%.

Termocentrali “Kosova e Re” pritet të fillojë së ndërtuari në fund të vitit 2016, ndërsa pritet të përfundojë pas gjashte vitesh.

Marrë nga Top Channel