Një delegacion i Bashkimit Evropian, kryesuar nga ambasadorët e BE në vendin tonë dhe në Bosnje-Hercegovinë, zhvilloi një vizitë në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare. Delegacioni i BE u prit nga  Gjen. Maj. Maksim Malaj, drejtori i QNOD, dhe koordinatorët e institucioneve pjesmarrëse. Më pas, diplomatët evropianë u njohën me misionin e QNOD, organizimin e saj, përbërjen, si edhe funksionimin e sallës operacionale.

Gjen. Maj. Maksim Malaj u prezantoi pjesëmarësve qëllimin e krijimit të QNOD, konceptimin e saj si institucion kryesor për monitorimin e situatës detare, ministritë pjesëmarrëse, bashkëpunimin midis tyre, stafin operacional, kapacitetet operacionale dhe drejtimin e operacioneve, regjimet juridike, sistemet dhe asetet në përdorim, shtrirjen e tyre, shkëmbimin e informacionit dhe analizën e riskut. Në vijim, Gjen. Maj. Maksim Malaj evidentoi disa nga operacionet kryesore të kryera gjatë vitit të kaluar dhe aktualisht, si ato antidrogë, ato kundër trafikut të paligjshëm të mallrave dhe njerëzve, operacionet humanitare për shpëtimin e personave dhe mjeteve në rrezik, etj.

“Në organizimin, çertifikimin dhe funksionimin normal të QNOD ka shërbyer edhe asistenca e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, e BE dhe NATO, nëpërmjet strukturave të tyre, si: ICITAP, EXBX, PAMECA dhe atasheve ushtarakë të vendeve partnere,” – theksoi Gjen. Maj. Maksim Malaj.

Në fund të vizitës, Romana Vlahutin, ambasadorja e BE në vendin tonë, vlerësoi punën e bërë nga personeli dhe institucionet e shtetit shqiptar për organizimin, pajisjen dhe forcimin e institucioneve ligjzbatuese në det. “Shqipëria ka bërë hapa para dhe i ka përmbushur detyrimet e standartet e kërkuara nga BE për kontrollin dhe monitorimin e hapësirës detare,” – u shpreh ambasadorja Romana Vlahutin.