Katër persona kanë rënë në prangat e Policisë së Shtetit, në Kavajë, të akuzuar për një seri vjedhjedh të realizuara në zonat e Golemit dhe Synejit. Operacioni për kapjen e tyre u finalizua me sukses gjatë ditës së djeshme, kur u arrestuan edhe dy anëtarët e fundit të bandës. Të arrestuarit janë shtetasit A. R., 33 vjeç, banues në fshatin Karpen; P. B., 41 vjeç, banues në Golem; E. K., 18 vjeç, banues në Karpen; dhe D. Sh., 19 vjeç, banues në Karpen.
Burimet zyrtare policia njoftojnë se të katër të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se merreshin me vjedhjen e banesave në fshatrat Karpen dhe Bago. Të arrestuarit, si objektiva kryesorë, zgjidhnin banesat e emigrantëve, të cilët janë larguar jashtë Shqipërisë, ndërkohë që grabisnin vegla pune dhe materiale hidraulike dhe elektrike, të cilat më pas i shisnin.
Mësohet se ka dyshime të bazuara se këta shtetas janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera të kryera në juridiksionin e Komisariatit të Policisë së Kavajës, për të cilat vazhdojnë hetimet për zbulimin e tyre.
Materialet në ngarkim të këtyre katër personave i kaluan Prokurorisë së Kavajës.





