Reparti i radioterapisë, pjesë e Shërbimit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, është përuruar sot, në prani edhe të kryeministrit Edi Rama. Në këtë repart është instaluar edhe akseleratori i parë linear, si aparaturë e teknologjisë së fundit bashkëkohore për trajtimin multidisiplinar me preçizion të lartë të tumoreve. Ai është investim me vlerë 315 milion lekë. Akseleratori është i vendosur në godinën e re, investim i qeverisë me vlerë rreth 260 milion lekë, në të cilën vitin e ardhshëm pritet të vendoset një tjetër akselerator.
Duke falënderuar për punën e bërë, kryeministri Rama u shpreh se standardet moderne bashkëkohore do të synohen në të gjithë institucionet shëndetësore në vend, jo vetëm për të përmirësuar shërbimin ndaj pacientëve, por edhe për të krijuar kushte optimale që mjekët të ushtrojnë profesionin e tyre human. “Po tentohen standardet më të mira dhe më bashkëkohore, për t’i dhënë mundësi mjekëve që të zhvillojnë vetveten si profesionistë, në kushte sa më të përafërta me kushtet që kanë kolegët e tyre jashtë Shqipërisë, – tha kryeministri Rama. – Kjo qëndër, për vite të tëra nuk ka qenë fare një qendër spitalore universitare, por ka qenë në të njëjtën kohë dhe spitali i gjithë Shqipërisë. Synimi është që të shpërndahet barra dhe të kemi disa nivele. Mendoj që ‘check up’ do të vazhdojë të japë të dhëna dhe të ndihmojë që të krijojmë një bazë të parë. Mendoj që shërbimi tanimë këtë vit falas, tek mjeku i familjes është një tjetër kusht i mirë, por që ka ende nevojë të përforcohet, duke ndihmuar edukimin në vazhdim të mjekëve të familjes, duke stimuluar sistemin e mjekut të familjes, përmes investimeve edhe aty. Sigurisht, pastaj përtej spitaleve rajonaleve, kjo qendër nuk ka pse të mos jetë një qendër ekselence. Ky është edhe synimi për disa pjesë të tjera të QSUT, që janë ende aty ku ishte ky repart përpara këtij transformimi.”





