Arrestohet dhe autori i fundit i dyshuar për ekzekutimin e Fatmir Pulës, ngjarje kjo e ndodhur më 19 janar të këtij viti.

Burime zyrtare policore bëjnë të ditur se 26-vjeçari Elton Ceka, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pas arrestimit të 5 bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në vrasje, ka pranuar të dorëzohet vetë, pas negociatave me Policinë e Durrësit.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë më 23.01.2016, ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Cekën, i akuzuar për veprat penale “Vjedhja me pasojë vdekje kryer në bashkëpunim”dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Autorët e krimit, 5 prej tyre janë arrestuar më 20.01.2016 dhe ndërkohë u bë shpallja në kërkim e shtetasit Elton Ceka. Konkretisht, u arrestuan shtetasit:

1. Admir Haka 32 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje;
2. Herton Haka 18 vjeç, lindur në Zezë, Krujë;
3. Aleksander Haka 28 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë;
4. Hekuran Boci 23 vjeç, banues në fshatin Halil, Krujë;
5. Olti Metuku (Agron), banues në Kamëz, Tiranë.

Arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi, në bashkëpunim me shtetasin Elton Ceka, kishin vendosur grabitjen e shtetasit Fatmir Pula, ndërsa ky i fundit po kthehej nga lokali i tij që e kishte me qira në Kamëz, për në banesë, në fshatin Zezë, Krujë.

NGJARJA

Olti Metuku e ka mbajtur nën vëzhgim viktimën në momentin që ai ka dalë nga lokali dhe ka lajmëruar autorët e tjerë.

Herton Haka (vëllai i Admir Hakës), ka qenë i fshehur në kthesën që të çonte në banesën e viktimës, nga fshati Nikel për në Zezë, dhe ka njoftuar dy autorët e tjerë që makina ku ndodhej viktima, po vinte në drejtim të tyre.

Dy shtetasit e armatosur Elton Ceka (me armë zjarri automatik) dhe Admir Haka (me pushkë), i kanë bllokuar rrugën viktimës me thasë me shkarpa. Elton Ceka e qëlloi me 4 plumba Fatmir Pulën, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme.

Sipas policisë, Aleksandër Hakaj i ka furnizuar me fishekë autorët, i ka strehuar natën e krimit, dhe njëkohësisht ka mbajtur edhe armët e krimit, një automatik model 56 kalibër 7.62, një pushkë model 63 dhe 4 copë fishekë luftarakë.

LIDHJET FAMILJARE TË AUTORËVE:

Admir dhe Herton Haka janë vëllezër dhe njëkohësisht komshinj me viktimën. Ndërsa, Aleksandër Haka është djali i xhaxhait të shtetasve të mësipërm.

Hekuran Boci dhe Olti Metuku janë kunetërit (burrat e motrave) të Admir dhe Herton Hakës.