*Autorët me uniforma policie po sfidojnë shtetin, synojnë të mbjellin pasiguri te populli!
“Të mos sfidohet autoriteti i shtetit nga persona që përdorin në mes të Durrësit uniformat e policisë për ngjare të rënda kriminale, si ato të këtij fillim viti. Është detyrë e organeve ligjzbatuese të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror të përmbushin detyrat e tyre funksionale”, kështu ka deklaruar nga Prokuroria e rrethit Durrës, shefi i organit të akuzës Adriatik Llalla, në analizën vjetore të punës së Prokurorisë së Durrësit, Kavajës dhe Elbasanit.
Kryeprokurori i vendit, ka ndalur në tre pika diskutimin e tij me prokurorët e Durrësit, Elbasanit dhe Kavajës. Fillimisht, Llalla u ndal te vrasjet e bëra më 20 dhjetor, kur viktima mbetën në atentatin në qendër të Durrësit Ervin Kodra, kushëriri i tij Endri Çaushaj, dhe më 6 janar u mor peng nga katër persona me uniforma policie Gazmend Çollaku, i cili u gjet i vrarë me 5 plumba në kokë, 12 orë më vonë.
“Ngjarjet kanë ndodhur si pasojë e konflikteve të ndryshme të trafikimit të lëndëve narkotike, dhe përfitimit të padrejtë të pronës së tjetrit. Këto ngjarje në mes të Durrësit, në disa raste edhe me përdorimin e uniformës së policisë së shtetit, kanë sjellë pasiguri te njerëzit. Këta shtetas, me këto veprime synojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit”, deklaroi Llalla.
“Ne kemi asistencë të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë, dhe kemi mundësinë që të zbulojmë e të identifikojmë autorët e këtyre ngjarjeve të rënda kriminale”, pohoi shefi i organit të akuzës.
Në pikën e dytë, Llalla u ndal te krimete ekonomike dhe financiare. “ Të tre qytetet ku shtrin veprimtarinë kjo prokurori, ka zhvillime të mëdha financiare, ku Durrësi është nyje kyçe, ku ushtrojnë veprimtarinë institucionet doganore dhe tatimore. Ajo që vlen të thuhet është se nuk referime për korrupsion dhe krime ekonomike. Nuk besoj se në këtë zonë nuk ndodhin krime financiare. Ju bëj thirrje të nisin hetimet kryesisht për nëpunësit e shtetit dhe personat e përfshirë. Të mos priten denoncime”, tha Llalla.
Një tjetër pikë shumë e rëndësishme e diskutimit të kryeprokurorit, ishin çështjet dhe konfliktet pronësore. Llalla tha se ka mjaft denoncime, por dosjet kanë mbetur pezull duke u ndryshuar vendimi i gjykatës.
K.H.





