Nisma e fundit e qeverisë për vendosjen e moratoriumit 10-vjeçar kundër degradimit të pyjeve ka kulmuar sot, në një zonë të dëmtuar të Rrugës së Kombit. Gjatë inspektimit në fshatin Reps të Mirditës, zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i mjedisit Lefter Koka i janë bashkuar stafit të Bashkisë së Mirditës në mbjelljen e disa fidanëve, kryesisht akacie. Pyllëzimi dhe rehabilitimi i zonave të degraduara është hapi tjetër që qeveria do të marrë menjëherë pas fillimit të efekteve të moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve. Veç të tjerash, zëvendëskryeministri Peleshi theksoi vullnetin e qeverisë për një qasje të re në menaxhimin dhe trajtimin e zonave pyjore ne vend.
"Përmbytjet të cilat kanë ardhur edhe për shkak të shkretimit të pyjeve, të cilat kanë shkaktuar erozionin, erozioni ka zënë shtretërit e përrenjve dhe lumenjve edhe shpesh herë është bërë edhe shkaku kryesor i përmbytjeve, – tha Peleshi – Kemi shpenzuar shumë energji edhe para për të riparuar dëmet ndërkohë që duhet të kishim reaguar ndër vite më shpejt edhe në mënyrë më të zgjuar, më inteligjente për të parandaluar përmbytjet. Kështu që ky aksion modest por shumë simbolik që ne po inspektojmë sot ka të bëjë pikërisht më nevojën edhe për të promovuar atë çka do të ndodhë me shumë shpresë të enjten, pra moratoriumin e pyjeve, një masë drastike 10-vjeçare, i shtrin afatin 10 vite, por e domosdoshme për të kompensuar nevojën për rigjenerim të pyjeve tona për shkak të keqtrajtimit të këtyre viteve."





