Një grua është gjendur e varur mbrëmë, në shtëpinë e saj, në fshatin Xhafzotaj, të Durrësit. Ngjarja fillimisht nuk u bë publike, pasi ekspertët e Policisë Shkencore dyshonin për vrasje.
Ndërkohë, sot, burimet zyrtare policore në Durrës njoftojnë se gruaja kishte varur veten për shkak të problemeve në familje. Ajo është gjendur nga bashkëshorti, i cili është munduar ta dërgojë në Spitalin Rajonal, por kishte qenë tepër vonë. Ai ka tentuar ta fshehë të vërtetën, për shkak edhe të turpit që mbart një ngjarje e tillë, duke thënë se gruaja e tij ishte rrëzuar. Por, në fund, ka treguar gjithçka.
Megjithatë, është dashur të merren në pyetje edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, që të përmbyllet hetimi dhe të konkludohej se humbja e jetës kishte ardhur nga vetëvarja.
Shkak i këtij vendimi duket se kanë qenë problemet e saj me njërën nga nuset e djemve.





